Gjimnazi “28 Nëntori”, ky tempull i dijes, bart në moshën e tij mes të tjerash dhe një traditë letrare. Në arkivin e shtetit, gjenden sot dokumente dhe dorëshkrime që flasin qartë për rolin e padiskutueshëm që kishin mësuesit e gjimnazit e në veçanti ato që jepnin literaturë shqipe.
Biblioteka e gjimnazit tonë nis rrugëtimin e saj, më 13.12.1941. Këshilli i mësuesve caktoi si drejtues të saj, poetin e afirmuar Gasper Pali.
Krijimi i kësaj biblioteke ishte fryt i një tradite të krijuar shumë më heret, që me krijimin e gjimnazit, më 1922. Domosdoshmëria për të pasur tekste shkollore, bëri që shumë mësues të krijonin, përshtatnin dhe përkthenin libra për shkollën.
Ndryshe nga historitë e shumë bibliotekave të tjera, historia e saj, pavarësisht se fillon kështu nuk e ka pasur rrjedhën e qetë dhe të pashkëputur për zhvillimin normal që u duhet institucioneve të kësaj natyre dhe të këtij karakteri. Në këtë rrugëtim të gjatë shekullor, biblioteka u kthye në burim kryesor të dijes, si frymëmarrje në ato kohë të mugëta për zgjim. Ato që e njohin historinë e gjimnazit, e dinë shumë mirë se koha e fillimit të punës së bibliotekës në këtë hapësirë nuk ka ardhur si një rastësi e lumtur. Ishte dashuria e madhe për gjuhën, sidomos për librin shqip, parakushtet themelore që rezultuan me krijimin e saj, fillimisht me numër të paktë fondesh, pastaj duke u pasuruar ndër vite.
Largimi shpejt nga jeta i mësuesit të talentuar Pali, ndryshimet historike, konfliktet e brendshme politike që sollën vitet pas 44-shit, themi me keqardhje, e vakën dëshirën për ta pasuruar atë.
Pas disa vitesh, 1966-1975, biblioteka e drejtuar nga mësuesi Hasan Lekaj do të marrë një pamje të re në funksion të mësimit. Pas vitit 1975, do ta drejtojë mësuesi metodist Faik Luli. Në vitet 1983-1991, mësues Gjon Shani. Gjatë gjithë kësaj periudhe nuk mund të lëmë pa përmendur dhe ndihmat e nxënësve të shkollës për pasurimin e fondeve të saj.
Pas hyrjes së demokracisë, ndryshimi i sistemit, trazirat e krijuara, do të bëjnë të rrafshohet një pjesë e saj, kohë kur bibliotekën e drejtonte mësuesi Zyhdi Lungu i cili bashkë me disa mësues të përkushtuar, sakrifikuan shumë, mes plumash e ruajtën atë në shtëpitë e tyre.
Pas viteve 2001 biblioteka do të ketë problem me vendosjen. Ka lëvizur disa herë në klasa të ndryshme. Mësuesi Arjan Frashëri ka punuar disa vite për ta sistemuar, inventarizuar, ushqyer nxënësit me dëshirën dhe rëndësinë e leximit.
Ka më shumë se 10 vite me qëllimin e promovimit të saj, gjetjen e mënyrës për pasurimin e fondit dhe nxitjen e interesit për librin, stafi i saj, në bashkëpunim me klubin letrar, sensibilizojnë: Eja në lexim! Me postera, fletëpalosje, etiketa, konkurse, shkëmbejmë emocione rreth një libri të lexuar, takime me shkrimtarë etj.
Sot biblioteka e gjimnazit “28 Nëntori” ka një fond mjaft të pasur dhe shumë lexues të rregullt të librit.
Një proces i plotë ristrukturimi ka filluar, duke synuar kthimin e saj në parametrat bashkëkohorë të bibliotekave moderne.
Në këtë rast, i drejtohemi institucioneve si dhe personave private, që të ndihmojnë bibliotekën tonë brenda mundësive që kanë, duke u kujtuar të gjithëve, se bibliotekat janë krijesat e njerëzimit në shërbim të brezave!